një ditë, kur të esëllohesh
nga dalldia se je bërë i dijshëm
dhe pandeh se ke fuqinë
jetën e tjetrit ta përkulesh,

mos kërko fajtorë ndër të tjerë,
as rrugë kthimi në mendje,
te sofra që ta shtronte nëna
ajo sofër tash rri e varur,
në murin e nxirë nga bloza,
si faqja jote e mbuluar me turp,
turp që e mban si mburrje.

Mbi atë sofër nuk ulet më
as macja e shtëpisë,
as gjarpri i mbledhur kulaç
nën rrasën e pragut
tash bari rritet i egër,
deri mbi çatinë e shtëpisë.

Një ditë, nëse kthehesh,
dhe mallkon dorën
atë katile që solli belanë
mbi fëmijët tanë,

mos kërko shfajësim,
as pajtim gjaku;
nuk do të gjesh njeri
që derën të ta hapë,
dorën të ta shtrijë,
zemrën të ta lehtësojë.

Do të dëgjosh veç kërcëllimën
e bagllameve të ndryshkura
kur ta shtysh atë derë;
macja e komshiut, e egërsuar,
do të ikë me zhapinin
bishtkëputur në gojë.

…dhe nëse të shkon mendja,
aty ku je, të të hiqet perdja
e padijes dhe çmendurisë,
dhe nëse njëherë
ia merr hakun injorancës

lavdëro pendimin, në gjetsh veshë
që ta dëgjojnë atë rënkim;
në gjetsh veç një qoshe pa myk
ku të jehojë e tërë dënesja jote.